Europa League, Skënderbeu pret çekun nga UEFA

14/07/2017 00:00

Një total prej thuajse 400 milionë eurosh do të shpërndahet mes klubeve të futbollit kontinental, për edicionin aktual të Europa League, e këtu mund të kenë një pjesë të mirë edhe ekipet shqiptare.

Tirana dhe Partizani u eliminuan, por do të pasurojnë arkat e tyre me një çek të majmë nga ana e UEFA-s, prej 215 mijë eurosh. Ndërsa Skënderbeu, që është aktualisht në garë dhe me mundësi të forta për të kaluar në raundin tjetër, mund ta trefishojë atë që fituan rivalët shqiptarë.

Pasi eliminuan skuadrën Sant Julia nga Andorra, korçarët fituan edhe 225 mijë euro të tjera për kalimin në raundin e dytë. Nëse “ujqërit e dëborës” do të eliminojnë Kairat Almatin në raundin aktual, do të shtojnë 235 mijë euro, që e çon çekun në thuajse 700 mijë euro për juglindorët.

Nëse skenarët e Europa League janë optimiste, arritja në “play off” do të shtojë edhe 245 mijë euro për Skënderbeun, që do të vazhdonin të përmirësonin situatën financiare, pas viteve të arta në dekadën e fundit.

Situata në aspektin financiar bëhet dukshëm më e mirë, nëse korçarët arrijnë grupet, ku vlerësohen vetëm për këtë me 2.6 milionë euro, e këtyre u shtohen bonuse për çdo barazim dhe fitore.

Top Channel