Ceballos, blerja kontroverse e Realit të Madridit

14/07/2017 00:00

I shpallur si futbollisti më i mirë i Europianit të nën 21-vjeçarëve, Dani Ceballos fitoi menjëherë vëmendjen e klubeve më të njohura kontinentale, e këtë verë, talenti spanjoll zgjodhi pa mëdyshje Realin e Madridit.

Por kush është mesfushori teknik, që ka nisur të shkaktojë situata kontroverse ende pa luajtur ndeshjen e parë me “Los Blancos”? Në të gjithë këtë situatë ka doza të forta antikatalanase.

Dani Ceballos shkaktoi jo pak bujë, kur i bëri thirrje qeverisë të lëshonte një bombë në stadium për të vrarë të gjithë ata “qenër bask dhe katalanas”, që vërshëllenin himnin spanjoll në finalen e Kupës së Mbretit.

Futbollisti më i ri “galaktik” nuk i kurseu komentet ofenduese edhe ndaj Fabregas dhe Pique për festën me flamurin katalanas, kur fitonte Spanja.

Nga këto duket qartësisht se përse Dani Ceballos vendosi të zgjedhë Realin e Madridit, e jo Barcelonën, emblemën e shkëputjes kontroverse që kërkon Katalunja nga Spanja.

Kur Betis shkaktoi rënien e Getafes në javën e fundit të kampionatit të vitit 2016, ai shkaktoi polemika me thirrjen për të kalbur në divizione të ulëta ekipin rival, deri në zhdukjen përfundimtare.

Një talent që u largua nga qyteti i Sevijës, pasi klubi andaluzian nuk besonte se do ta merrte veten nga bronkiti, tashmë vlerësohet miliona euro. Nga ky muaj, ai do të jetë pjesë e “ekuacioneve” të mesfushës në Realin e Zinedine Zidane, kampion të Europës.

Top Channel