Turi i Francës, Aru fiton etapën e pestë

06/07/2017 00:00

Është italiani Fabio Aru fituesi i etapës së 5 të Turit të Francës, një etapë kjo që ishte e vështirë për shkak se u mbyll në një terren ngjitës, pikërisht në La Planche des Belle Filles.

Çiklisti i skuadrës Astana e siguroi këtë sukses pas një sulmi perfekt në 2.3 km e fundit të kësaj etape, të cilën e përshkoi për 3 orë, 44 minuta e 6 sekonda.

Menjëherë pas tij në vendin e dytë u rendit irlandezi Daniel Martin, me 16 sekonda më shumë se Aru, ndërsa Chris Froome e kaloi vijën e finishit i treti. Dy pretendentët e tjerë për fitoren në Turin e Francës, Alberto Contador dhe Nairo Quintana u renditën respektivisht në vendin e tetë dhe të nëntë, me 26 dhe 36 sekonda më shumë sesa çiklisti italian.

Përsa i përket renditjes së përgjithshme, ajo pësoi ndryshime pasi në krye, duke veshur fanelën e verdhë të Turit, tashmë është Chris Froome, me kohën e përgjithshme 18 orë, 38 minuta e 59 sekonda. Britaniku tjetër Thomas zbriti në vendin e dytë me 12 sekonda më shumë, ndërsa në vendin e tretë gjendet Fabio Aru.

Kanë fituar pozicione edhe Contador e Quintana, të cilët gjenden brenda dhjetëshes më të mirë të Turit në vendin e 8 dhe të 9.

Top Channel