Milani merr edhe Conti-n, entuziazëm në Milanello

05/07/2017 00:00

Ishte një ndër lojtarët e parë që u fol se do të transferohej këtë merkato vere të Milani, por vetëm këtë të mërkurë Milani mund të quajë të mbyllur transferimin e mbrojtësit të djathtë të Atalanta-s, Andrea Conti.

Marrëveshja mes palëve ishte arritur prej ditësh, por pritej momenti që Atalanta të gjente zëvendësues për lojtarin dhe më pas të linte të lirë drejt Milanit.

Atalanta siguroi transferimin e Castagne dhe menjëherë u dha drita jeshile për Conti-n të transferohej drejt Milanit. Ditët e nesërme pritet që lojtari të kryejë testet atletike, ndërsa vizitat mjekësore të premten e më pas edhe firma në kontratën me kuqezinjtë.

Një atmosferë e jashtëzakonshme është krijuar ditën e sotme në Milanello kur stërvitja e Milanit është ndjekur nga mijëra tifozë kuqezinjtë, të cilët ishin tejet entuziastë në këtë fillim sezoni, duke qenë se deri tani klubi ka afruar 7 lojtarë.

Megjithatë, kuqezinjtë nuk do ta mbyllin merkaton me mbrojtësin e marrë nga Atalanta, pasi Mirabelli u shpreh se ata do të flasin sërish me drejtuesit e Lazio-s për transferimin e mesfushorit Biglia, ndërsa për rinovimin me Donnarumma-n u shpreh se pret të mbyllet brenda 48 orëve të ardhshme.

Top Channel