Calhanoglu në Milano, nesër Donnarumma, më pas Conti

02/07/2017 00:00

Pak pas mesditës, turku Hakan Calhanoglu ishte në Milano. Tashmë Milani është pranë zyrtarizmit të lojtarit të gjashtë në këtë merkato verë, e cila po rezulton me të vërtetë e nxehtë për kuqezinjtë.

Calhanoglu menjëherë kreu edhe një pjesë të testeve mjekësore, ndërsa “Bild” publikoi edhe falenderimin e lojtarit ndaj ekipit dhe tifozëve të Leverkusen. “Po shkoj në Milano për të nënshkruar kontratën. Falenderoj drejtuesit e Leverkusen dhe tifozët për tre vite fantastike në këtë skuadër. Tani për mua nis një sfidë e re”.

Marrëveshja për mesfushorin turk tashmë është mbyllur për 22 milionë euro plus bonuset, por Milani nuk do ta mbyllë këtu.

Një çështje e hapur është ajo e rinovimit me portierin Donnarumma, e cila tashmë është kthyer në një “telenovelë”. Ditën e hënë është parashikuar një tjetër takim mes drejtuesve kuqezinj dhe Raiola-s, ndërsa portieri ka shprehur sërish dëshirën për të qëndruar me Milanin.

Ndërkohë edhe për mbrojtësin Conti, Milani ka gjetur gjuhën e përbashkët me Atalanta-n dhe të martën edhe ai do të jetë në Milano për vizitat mjekësore dhe më pas firma me kuqezinjtë, ku do të bëhet lojtari i shtatë i ardhur në këtë merkato vere.

Top Channel