Në Britani dhe të gjithë Europën, shifra rekord të evazionit fiskal

01/07/2017 00:00

Kohët e fundit, në botën e futbollit janë shtuar rastet e evazionit fiskal nga lojtarët apo agjentët e tyre. Kjo ka vënë në lëvizje autoritetet tatimore britanike, që kanë vënë nën hetim 100 futbollistë, 39 klube dhe 13 agjentë.

Sipas tabloidit “Daily Mail”, organet tatimore britanike po kërkojnë të evidentojnë sasinë që nuk është derdhur në arkat e shtetit nga të ardhurat e përfituara nga të drejtat e imazhit të lojtarëve, e për këtë arsye ka nisur bashkëpunimi edhe me institucionet e ngjashme në mbarë kontinentin europian.

Vet drejtuesit e “HMRC”-së në Britaninë e Madhe kanë konfirmuar hetimet që po kryhen në lidhje me këtë fenomen negativ, që duket se është zgjeruar jashtë mase. Ajo që të bën përshtypje është se, në harkun e pak muajve, numri i futbollistëve apo agjentëve që po hetohen për evazion fiskal është rritur ndjeshëm.

Dhe për ta vërtetuar këtë, mjafton të shohësh se deri në muajin dhjetor, statistikat flisnin për hetimin e 43 futbollistëve, 12 klubeve e 8 agjentëve në disa vende të Europës.

Për t’u theksuar është se, në Angli, agjentët tatimorë ushtruan kontroll në zyrat e Newcastle dhe West Ham, duke konfiskuar kompjutera, telefona celularë, si dhe bilancet financiare. Ndërsa në Francë u kontrolluan zyrat e Paris Saint Germain, nga agjentët e Zyrës Kombëtare të Taksave në vendin transalpin.

Top Channel