Lionel Messi, në altar. Blindohet “principata” e drogës

29/06/2017 00:00

Siguria është kthyer në një temë të nxehtë për qytetin e Rosarios, në këtë fund të nxehtë qershori.

Martesa e futbollistit Lionel Messi me të dashurën e tij të fëmijërisë e ka kthyer qytezën argjentinase në një pikëtakim për qindra yje të sportit dhe “shoëbizz”-it, duke krijuar një kontrast të plotë.

Në njërën anë po përgatitet, përmes miliona eurove të shpenzuara, një ceremoni luksoze me të ftuar “VIP”, por kjo bëhet në qytetin portual më të varfër dhe më të rrezikshëm të shtetit nga Amerika Latine.

Rrjeti i sigurisë rreth dasmës së Leo Messit dhe Antonela Roccuzzos, që do të mbahet këtë të premte, i përngjan samitit të udhëheqësve botërorë, me më shumë se 300 persona sigurie nga kompani private, veç atyre që siguron qyteti.

Njerëzit që kanë fluturime të drejtpërdrejta në Rosario do të kenë një trajtim “VIP” në aeroport, do të lëvizin në zona të veçanta, e për mysafirët e huaj do të ketë roje në udhëtim. Njerëz të afërt me familjen dhe organizimin e martesës mohuan të kenë punësuar një kompani sigurie me origjinë izraelite, por të kundërtën thonë mediet.

Kazinoja e përfshirë në ceremoni, në hotelin “City Center” të Rosarios, do ketë përforcime shtesë, të siguruara nga organizatorët e dasmës. Në këtë qytet regjistrohen përditë krime narkotrafiku nga banda famëkeqe “Los Monos”, që vetëm në 5 vitet e fundit ka shkaktuar 1.000 viktima.

Vitin e kaluar, mesatarja e vrasjeve në Rosario ishte sa dyfishi i të gjithë Argjentinës, e pikërisht për këtë, dasma e supertalentit Lionel Messi dhe Antonela Roccuzzos është kthyer në një fortesë të mbrojtur nga brenda dhe jashtë.

Top Channel