Raikkonen vetësakrifikohet. Vettel, një aleat më shumë drejt titullit

22/06/2017 00:00

Paraqitja negative në Çmimin e Madh të Kanadasë, me vendin e 7 në garë, e hoqi praktikisht finlandezin Kimi Raikkonen nga llogaritë e një titulli potencial.

Kështu, duke nisur nga ndalesa në Baku të Azerbajxhanit këtë fundjavë, piloti nordik do të jetë një mbështetje më shumë për fushatën e Sebastian Vettel.

“Kur nuk ke mundësi të luftosh për titullin, atëherë duhet të ndihmosh shokun e ekipit. I rëndësishëm është suksesi i Ferrarit dhe unë do ta vendos makinën në pozicionin më të mirë të mundshëm. Rregullat në bokse janë të qarta, duhet të garojmë si të duam, por më pas, në situata të tilla t’u bindemi urdhrave”, tha Raikkonen, me 68 pikë në botëror, krahasuar me 141 të gjermanit Vettel.

“Sebastiani ka qenë vërtet i fortë këtë sezon, kurse unë pata probleme në nisjen e kampionatit dhe shumë vështirësi. Kur shoku yt i ekipit është gjithmonë në podium, bëhet normale hendeku i pikëve”, tha piloti nordik, të cilin mediet e kanë pagëzuar me emrin “njeriu i akullt”.

“Ice Man” do të gjejë në Baku një pistë brenda qytetit, si në Montekarlo, ku fitoi “pole position”-in, por nuk sheh ngjashmëri me cirkuitin e Principatës, madje parashikon diferenca të vogla mes ekipeve në garë.

Top Channel