Konfliktet tek Flamurtari, Idrizi: Tërhiqem nëse nuk privatizohet

21/06/2017 00:00

Privatizimi i Flamurtarit mbetet pengesa kryesore e vazhdimësisë së investimeve tek kjo skuadër nga grupi i biznesmenëve turq të përfaqësuar nga administratori Sinan Idrizi.

Në një intervistë për Top Channel ai sqaron situatën kaotike në Vlorë.

“Unë do t’i qëndrojë kontratës që kam deri në fund të vitit tjetër, por nëse nuk jepet drita jeshile për procesin e privatizimit unë do të tërhiqem”, thotë administratori Idrizi.
 
Çështja e pagesave të prapambetura të trajneri Ernest Gjoka është një tjetër problematikë e madhe për skuadrën vlonjate, që ndoshta nuk rrezikon më heqje pikësh, por bllokim llogarish.

“Të gjitha detyrimet e para ardhjes sonë i takojnë Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak. Ja kam vënë në dispozicion kryetarit të bashkisë dhe ai i konsideron të parregullta. Duke më thënë se kjo është një kontratë ilegale jashtë strukturave tona”, shton Idrizi.
 
I gjithë problemi i kësaj çështjeje për zotin Idrizi mbetet ish-kryetari i bashkisë dhe ish-presidenti i Flamurtarit, zoti Shpëtim Gjika.

“Kemi një zotëri që është firmëtar dhe është fshehur. Shfaqet herëpashere nëpër rrjete sociale me komente pa lidhje me çështjen. Unë nuk kam asnjë detyrim se nuk jam pronar i Flamurtarit dhe nuk kam marrë përsipër borxhet e Flamurtarit. Unë jam një administrator i përkohshëm”, thotë ai.
 
Ndërkohë, objektivi që Flamurtari do të ketë për sezonin e ardhshëm, sipas Idrizit do të jetë minimumi Kupat e Europës.

“Këtë vit në rang suksesi, të paktën duhet të jemi në kupat e europës”, deklaron Idrizi.

Top Channel