Hetim dhe për “Blancos”, tatimet do bastisin Real Madrid

19/06/2017 00:00

Mbështetja e Realit të Madridit ndaj Cristiano Ronaldos pas skandalit për evazion fiskal ka ngritur dyshime te Agjencia Spanjolle e të Ardhurave. Sipas asaj që publikohet në median iberike, organet tatimore në Madrid duket se kanë vendosur të hetojnë edhe llogaritë e klubit “merenges”. Portugezi ndihet i pakënaqur për mbrojtjen e vakët që i bëri hierarkia drejtuese e “galaktikëve”, ndërsa organet fiskale mendojnë të kundërtën.

Florentino Perez në veçanti ka ngjallur tensione në zyrat qendrore të Ministrisë së Financave për shkak të dëmit që i bëhet një agjencie, e cila ka shkaktuar më parë viktima luksi në futboll si Lionel Messi. “Hacienda somos todos” është slogani krenar i tatimorëve dhe duket se presidenti i realit e ka injoruar duke i akuzuar për fakte pa bazë.

Pikërisht pas skandalit të Ronaldos, do të nisin edhe hetimet për pagat që kanë marrë futbollistët “merenges”, bonuset e majme dhe të drejtat e imazhit, aty ku ndahet një kufi i hollë mes ligjit dhe evazionit. Sipas organeve fiskale, drejtuesit e Realit mund të kenë probleme edhe me rimbursimin e detyrimeve dhe pagesat ndaj palëve të treta.

Top Channel