Ronaldo dëshiron Man Utd., Reali hedh sytë nga Mbappe

19/06/2017 00:00

Florentino Perez e nis mandatin e tij të tretë si president i Realit të Madridit, me një detyrë të vështirë: atë për të mbajtur Cristiano Ronaldon në kryeqytetin spanjoll.

Ndryshe nga herët e tjera, këtë radhë portugezi duket më i vendosur se kurrë për t’u larguar nga Spanja, ku kohët e fundit u padit nga Prokuroria për evazion fiskal.

Manchester United duket se do të jetë destinacioni i mundshëm i tij, duke parë edhe kërkesën që 32-vjeçari i ka bërë agjentit të tij Jorge Mendes.

Tabloidi “The Sun” zbulon pikërisht këtë dëshirë të Cristiano Ronaldos, të cilin as Zidane nuk mundi ta bindë që të qëndrojë. Te Manchester United, Cristiano Ronaldo do të gjejë Jose Mourinhon, me të cilin ka punuar në periudhën 2010-2013 te Reali i Madridit.

Nëse transferimi i Ronaldos në “Old Trafford” do të realizohet, atëherë Reali i Madridit do të nisë menjëherë ofensivën për blerjen e Kylian Mbappe.

“Los Blancos”-it fitojnë një avantazh të ndjeshëm kundrejt ekipeve të tjera që e kërkojnë talentin e Monakos, falë vullnetit të vet sulmuesit 18-vjeçar të skuadrës nga Principata.

Futbollisti i përfaqësueses franceze, pavarësisht moshës së tij, duket se i ka të qarta idetë për të ardhmen dhe u ka komunikuar drejtuesve të klubit të Principatës se dëshiron të shkojë vetëm te Reali i Madridit, e askund tjetër.

Top Channel