Partizani, firo përpara sfidave të Europa League

13/06/2017 00:00

Partizani ka nisur këtë javë përgatitjet për t’u përballur denjësisht me rivalët që do t’i ofrojë Europa League, por në kampin e kuq shqetësojnë jo pak largimet.

Skuadra kryeqytetase ka zhvilluar seancën e radhës në kompleksin “Internacional Tirana”, në Pezë, por nën urdhrat e trajnerit Sulejman Starova nuk kanë qenë disa nga protagonistët e sezonit pozitiv të “Demave të kuq”.

Mesfushori Ylber Ramadani zyrtarizoi transferimin e tij në Danimarkë, në një skuadër modeste si Vejle në kategorinë e dytë, por gjithsesi në një vitrinë që do t’i mundësojë një kapërcim cilësor në karrierë. Për futbollistin shqiptar, danezët do të derdhin afërsisht 200 mijë euro në arkat e “Demave të kuq”. I fundit që largohet është mesfushori malazez, Marko Cetkovic.

Ballkanasi, që nuk arriti të siguronte formacionin në çdo ndeshje për aq muaj sa luajti me kryeqytetasit, falënderoi tifozët dhe klubin e Partizanit për mundësinë që i dha, duke i uruar suksese në Europa League dhe në sezonin e ri në kampionatin shqiptar.

Këto largime, së bashku me lamtumirat thuajse të zyrtarizuara të sulmuesit Ekuban dhe mesfushorit argjentinas Torasa, e dobësojnë ndjeshëm ekipin në prag të provës europiane.

Partizani ka afruar deri tani vetëm mbrojtësin e Teutës, Blerim Kotobelli, shumë pak krahasuar me ambiciet e klubit. Merkatoja dhe afrimet janë në dorën e Luciano Moggit, italiani që erdhi me bujë si këshilltar i presidentit, por deri tani është kufizuar vetëm në paraqitje të vakëta dhe pa ndikim në Tiranë.

Top Channel