S’ka më përmbysje, Golden State kampion i NBA

13/06/2017 00:00

Golden State është skuadra kampione e NBA për këtë vit. Skuadra kaliforniane u rikthye te titulli pas 2 sezonesh teksa mposhti Cleveland në ndeshjen e 5 me rezultatin 129-120 për të mbyllur përballjet me të 4-1 duke mos e lejuar skuadrën nga Ohio të bëjë përmbysjen e madhe, siç ndodhi vitin e kaluar.

Në Oracle Arena u zhvillua një ndeshje intensive dhe spektakolare, ku më të mirën e mori pikërisht skuadra e Warriors.

Fillimi i sfidës ishte inkurajues për Cleveland që në periodën e parë arriti të krijojë një avantazh deri në 8 pikë, për ta mbyllur më pas atë me rezultatin 37-33 në favorin e tij. Kampionët e Konferencës së Perëndimit nuk e zgjatën shumë dhe vendosën të ndryshojnë skenaret e kësaj sfide dhe në pak kohë rezultati shkoi nga 39-43 për Cleveland në 61-45 për kalifornianët.

Pak çaste më vonë Golden State e coi në 17 pikë diferencën e pikëve me Cavaliers falë rezultatit të pjesshëm 22-2, por në krahun tjetër James dhe Irving nuk u dorëzuan dhe i ndihmuan Cleveland   qe në periodën e tretë te reduktojn në vetëm 5 pikë diferencën me Golden State.

Skuadra e Steve Kerr u zgjua dhe filloi të sjhënojë pikë të njëpasnjëshme duke krijuar diferencën e mjaftueshme të pikëve për të fituar këtë ndeshje që i dhuroi edhe titullin e dytë në 3 vjet.

Heroi i Golden State për këto përballje me Cleveland ishte padyshim Kevin Durant i shpallur edhe MVP i finaleve. Në këtë ndeshje Durant shënoi 39 pikë dha 5 assist e rrembeu 7 topa në tabelë, ndërkohë që në total në 5 ndeshjet e luajtura regjistroi një bilanc prej 176 pikësh, 27 assist dhe 40 topa ne tabelë duke e marrë me meritë të plotë titullin e lojtarit më të mirë.

Kontribuoi në këtë sukses edhe Stephen Curry që e mbylli sfidën me 34 pikë, 10 assist e 6 topa në tabelë duke e humbur sërish betejën për cmimin MVP. Por kjo pak rëndësi ka.

Ajo që vlen është se Golden State fitoi titullin kampion duke bërë një paraqitje fantastike gjatë gjithë fazës së playoffit që cilën e mbylli me 16 fitore dhe vetëm 1 humbje atë të ndeshjes së katërt ne finalen me Cleveland që nuk bëri gjë tjetër vecse shtyu me 3 ditë festën e paralajmëruar të titullit të Warriors.

Top Channel