Arsimi, prioritet! Peticion për partitë politike

10/06/2017 00:00

Sipas Koalicionit për Arsimin e Fëmijëve, aktualisht 1 në 3 fëmijë rrezikon të mos shkojë në shkollë.

Kjo është arsyeja pse ky koalicion, përmes një peticioni i kërkon partive politike dhe qeverisë ta kthejë arsimin në prioritet të politikave dhe të rrisë me 6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto buxhetin për këtë sektor.

Sipas Koalicionit për Arsimin e Fëmijëve, në Shqipëri nga 300.000 fëmijë që ndjekin arsimin parauniversitar, mbi 100 mijë prej tyre rrezikojnë të ngelen pa shkollë, për shkak të varfërisë ekstreme.

Zyrtarisht, thotë KAF, 40% e popullsisë jeton në kushte varfërie, 28% e fëmijëve janë përfitues të ndihmës ekonomike, 50 mijë fëmijë punojnë për të siguruar mbijetesën e tyre, 44% e fëmijëve hanë vetëm një vakt ushqimor dhe 64% e fëmijëve me nevoja të veçanta nuk shkojnë në shkollë.

Sipas Koalicionit, Shqipëria investon 3.3% të PBB-së për arsimin, shifër kjo nën standardin ndërkombëtar dhe atij rajonal, që cënon arsimin publik dhe gjithëpërfshirjen.

Ata thonë se, nëse garantohet 6% e PPB për arsimin, akses në arsimin publik do të kenë edhe fëmijët e varfër, si dhe do të ulet niveli i analfabetizmit dhe braktisja e mësimit.

Top Channel