Volejbolli i femrave, Shqipëria në ligën europiane

08/06/2017 00:00

Për të dytin vit radhazi, përfaqësuesja e Shqipërisë në volejboll për femra po përgatitet për të marrë pjesë në Ligën Europiane të Volejbollit.

Që prej mesit të muajit maj, kombëtarja e volejbollit është grumbulluar në Tiranë, ku ka zhvilluar përgatitjet për këtë aktivitet.

Së bashku me Shqipërinë, në grup është edhe Bjellorusia, Austria dhe Finlanda. Përpos euforisë së zhvillimit të ndeshjeve në Tiranë, trajnerin Altin Martiri thekson se synimi mbetet paraqitja sa më e mirë, pasi kualifikimi është shumë i vështirë.

“Për këtë vit duhet të rrisim pak pretendimet. Kryesorja është që ne të ruajmë një nivel loje të mirë. Kemi sjellë disa prurje të reja, por nga ekipi i vjetshëm kemi dy mungesa kryesore. Me prurjet e reja dhe vajzat me eksperiencë, që e kanë sjellë nga kampionatet e huaja, unë besoj se do të shfaqemi mirë”, tha Altin Martiri, trajner i kombëtares së volejbollit të femrave.

Optimiste për këto eliminatore është edhe kapitenja e ekipit tonë kombëtar, Arjola Prenga.

“Gjithkush ka një pritshmëri shumë të madhe për këtë kompeticion. Edhe ne lojtaret jemi shumë të përgatitura dhe me një seriozitet të madh për këtë turne. Them se gjërat do të shkojnë më së miri, duke u bazuar te stërvitja që kemi zhvilluar dhe po vazhdojmë të zhvillojmë”, tha Arjola Prenga, kapitenja e kombëtares së volejbollit për femra.

Ndeshjen e parë, Shqipëria do ta luajë përballë Finlandës, ditën e premte në orën 18:00, ndërkohë që më pas, kalendari vazhdon me ndeshjen e së shtunës më 10 qershor përballë Austrisë, ndërsa ditën e dielë është ndeshja përballë Bjellorusisë. Të gjitha këto ndeshje do të zhvillohen në sallën e lojërave me dorë “Feti Borova”, pranë kompleksit “Dinamo”.

Top Channel