Ndëshkimi i Luksemburgut, Cana: Na duhet të fitojmë me Izraelin

05/06/2017 00:00

Humbja e fundit e përfaqësueses së Shqipërisë ndaj Luksemburgut e ka rënduar shumë situatën në kampin kuqezi, i cili pak ditë më pas do të zhvillojë ndeshjen zyrtare përball Izraelit.

Skuadra nuk po i përgjigjet më trajnerit si në Europian dhe kjo është e dukshme, por Lorik Cana, i frymëzuar edhe nga investimi që sapo ka filluar për fëmijët tregon se brezat e rritur jashtë Shqipërisë me kushte më të mira kanë qenë çelësi i suksesit në sportin tonë.

“Nëse kemi patur sukses në futboll apo kudo është se fëmijët që janë rritur jashtë kanë patur shansin të kenë kushte më të mira dhe të formohen më mirë. Ja marr shembull rastin tim që përfitova nga kushtet në Zvicër dhe më pas në Francë për t’u bërë Loriku që jam sot”, u shpreh ish-kapiteni i kombëtares, Lorik Cana.

Sa i përket ndeshjet me Izraelin ish-kapiteni kuqezi mundohet të motivojë lojtarët, duke besuar se Izraeli ka më pak kualitet se ne.

“Jam i bindur se skuadra do të dijë të reagojë pasi ne kemi të njëjtin nivel për të mos thënë më të lartë se Izraeli, por duhet pak fat. Nuk ka rëndësi nëse dalim të dytët, apo të tretët në grup, na duhet të fitojmë çdo ndeshje dhe jam i bindur se do ja dalim”, thekson Cana.

Pestë humbje radhazi dhe kjo situatë ka vënë në diskutim edhe respektimin e kontratës së De Biazit nëse do të mbyll këto eliminatore apo Izraeli mund të jetë ndeshja e fundit.

“Është njeri që ka dhënë shumë dhe mund të japë akoma. Por nëse ka dëshirë të provojë eksperienca të reja ne nuk na mbetet gjë tjetër thjesht t’i heqim kapelen dhe të ecim përpara”, shprehet Cana.

Top Channel