Zaev, në zyrën e Gruevskit. Fokusi tek ekonomia, shteti ligjor e integrimi

01/06/2017 00:00

Maqedonia ka një qeveri të re. Pas debateve dyditore në Parlament, ekzekutivi i Zoran Zaev u miratua me 62 vota pro, 44 kundër dhe 5 asnjanëse. Votat kundër ishin të gjitha të VMRO-DPMNE-së, ndërsa ato asnjanëse të Lëvizjes Besa.

Qeveria e re ka 25 ministra, 8 nga të cilët janë nga radhët e komunitetit shqiptar, përkatësisht nga Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët. Krijimi i saj pritet t’i japë fund krizës së zgjatur politike.

Zoran Zaev mori pas mesditës çelësat e zyrës së Kryeministrisë, nga kreu në largim i saj, Emil Dimitriev. Më herët, ministrat e porsacaktuar u pritën në Presidencë nga kryetari i shtetit, Gjorge Ivanov.

Në fjalën e tij përpara Parlamentit, Zaev u zotua të jetë kryeministër i të gjithëve.

“I pranoj edhe kritikat, sepse e vërteta është një dhe del gjithmonë në sipërfaqe. Do të punojmë për bashkimin e të gjithëve në këtë vend. Ju lus që të na mbështesni për ligje, të cilat janë në dobi të qytetarëve. E ardhmja do të na dënojë, nëse nuk do t’iua plotësojmë atyre nevojat dhe nuk e çojmë vendin përpara”, tha Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë.

Sipas Zaev, kabineti i tij ka 3 objektiva kryesore: zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit dhe integrimin e vendit në Bashkimin Europian e NATO.

Departamenti amerikan i Shtetit e përshëndeti krijimin e qeverisë maqedonase, e tha se pret bashkëpunimin me qeverinë e re, plotësimin e aspiratave euroatlantike të vendit dhe zbatimin e reformave urgjente, me të cilat do të forcohet sundimi i ligjit.

Porosia e shefes së diplomacisë europiane, Federica Mogherini, dhe Komisionerit të Zgjerimit, Johannes Hahn, ishte gjithashtu që Zaev dhe opozita të përgatisin një axhendë reformuese, e cila të jetë në të mirë të vendit.

Një incident i shënuar gjatë ditës errësoi kalimin e kompetencave te ministri i sapoemëruar i Shëndetësisë, Arben Taravari. 50-vjeçari Lupço Stojanovski shtiu me armë zjarri mbi ministrin Nikolla Todorov, por pa e lënduar. Mësohet se sulmi nuk ka motive politike dhe se atentatori ka qenë më parë i shtruar në spital.

Top Channel