F1, Vettel “skuq” Montecarlon. Hamilton, nga kreu në vendin e 8

25/05/2017 00:00

“E kuqja” ka dominuar sesionin e dytë të provave të lira në Montecarlo, kjo falë performancës së shkëlqyer të Sebastian Vettel, i cili me Ferrarin e tij arriti të regjistrojë kohën prej 1 minutë, 12 sekondash e 720 të mijëtat. Kjo kohë ishte bindshëm më e mirë sesa ajo e rivalit të tij kryesor, Lewis Hamilton, që e kishte përfunduar sesionin e parë në krye, me kohën 1 minutë, 13 sekonda dhe 425 të mijëtat.

Kronometri i ndalur i pilotit gjerman të “kokëkuqes” pikërisht në këto limite shënon gjithashtu edhe kohën më të mirë të regjistruar ndonjëherë në Principatë, pasi për herë të parë në histori një xhiro përshkohet në më pak se 1 minutë e 13 sekonda.

“Shigjetat e argjendta” duken se kanë hasur shumë vështirësi në menaxhimin e konsumimit të gomave, me Hamiltonin që nga kreu, në sesionin e parë të provave të lira, zbret në vendin e 8, ndërsa Bottas në vendin e 10, respektivisht me 1 sekondë e 153 të mijëtat më shumë për britanikun, dhe 1 sekondë e 182 më shumë për finlandezin.

Përpara Mercedesit janë të shumtë pilotët e renditur. Ricciardo me Red Bull i mbylli provat në vendin e dytë, duke lënë pas krahëve Ferrarin tjetër të Raikkonen. I katërti u rendit Kvyat, me Toro Rosso, ndërsa në vendin e pestë ishte Sainz, shok skuadre me të. Verstappen dhe Perez mbajnë vendet 6 dhe 7.

Provat zyrtare dhe gara për Çmimin e Madh të Monakos do të mund t’i ndiqni drejtpërdrejt në Top Channel HD, të shtunën dhe të dielën në orën 14:00.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel