Spanjë, autoritetet fiskale “shënjestrojnë” Ronaldon

25/05/2017 00:00

Pas Lionel Messit, edhe Cristiano Ronaldo përfundon në shënjestrën e organeve tatimore spanjolle. Sipas asaj që publikohet tek e përditshmja “AS”, sulmuesi portugez i Realit të Madridit nuk ka derdhur në arkat e Agjencisë së të Ardhurave, plot 15 milionë euro të siguruara nga të drejtat e imazhit në periudhën 2011-2014.

Hetimet janë kryer nga Prokuroria e Krimit Ekonomik në Madrid, që duhet të vendosë nëse do të ketë procedim penal, apo thjesht administrativ për futbollistin, i cili u përpoq të rregullonte pozicionin e tij përpara se organet tatimore të nisnin hetimet ndaj tij.

Do të jetë gjykatësi, ai që do të vendosë në këtë pikë. Nëse do të konfirmohet krimi fiskal, atëherë për Ronaldon parashikohet një dënim prej 4 muajsh burg, për ato vite kur është verifikuar evazioni fiskal.

Vetëm një ditë më parë, Gjykata Supreme konfirmoi dënimin me 21 muaj burgim për Messin, që kreu evazion fiskal prej 4.1 milionë eurosh për periudhën 2007-2009, ndërkohë që babait të tij iu ul dënimi, nga 21, në 15 muaj.

Gjithsesi, asnjë prej tyre nuk do të shkojë në qeli, duke qenë se dënimi është më pak se dy vite heqje lirie.

Top Channel