Mbijetesa në Superiore, mijëra euro shpërblim për “palët e treta”

25/05/2017 00:00

Shpërblimet ndaj palëve të treta për të arritur objektiva të caktuara nuk ndodhin për herë të parë në futbollin shqiptar, por me afrimin e javës së fundit, që vendos rënien nga kategoria dhe pjesëmarrjen në Europa League, duket se janë intensifikuar.

Skuadra e Flamurtarit, një nga 4 ekipet që rrezikojnë matematikisht të bien në Kategorinë e Parë, ka denoncuar shpërblimet aspak “Fair Play”, që po jepen për të rrëzuar elementë të caktuar.

“Të shkelësh ligjet, ‘Fair Play’-in në kampionatin shqiptar tashmë është mëse normale. Normale dhe e trumpetuar si mëse ligjore, pa ndrojtje edhe mediatikisht. Klubet e Vllaznisë dhe Tiranës kanë vendosur të paguajnë 200 mijë euro për rrëzimin nga Kategoria Superiore të ekipeve të Flamurtarit dhe Laçit. ‘Drinët’ e radhës në futbollin shqiptar, të cilët në dukje janë ‘qarë’ dhe kanë ‘dënuar’ me forcë gjatë të gjithë kampionatit padrejtësitë dhe shkeljet që bëhen në kurriz të tyre, sot kanë shpikur ‘forma ligjore për blerje’ të ekipeve kundërshtare në garë”, thuhet në komunikatën e ekipit vlonjat.

Vllaznia dhe Tirana përballen me njëra-tjetrën në javën e fundit të Superiores, e një prej tyre do të bjerë, nëse nuk ndodhin surpriza në dy ndeshjet e tjera.

“U bëjmë thirrje organeve kompetente, nisjen e procedimit dhe hetimin deri në zbardhje të plotë të këtyre veprimeve, haptazi korruptive, që ndikojnë në përcaktimin e rezultateve të ndeshjeve në futbollin shqiptar”, thuhet më tej nga drejtues të Flamurtarit.

Flamurtari do të luajë ndeshjen e fundit sezonale kundër Korabit, ekip që do të zbresë në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm.

Top Channel