Rekordi mbresëlënës i portugezit Mourinho

23/05/2017 00:00

Finalja e Europa League këtë javë, në “Friends Arena” të Stokholmit, e ka një favorit të padiskutueshëm si Manchester United, teksa një pjesë të kuotave i ngre padyshim Jose Mourinho.

Portugezi, në sezonin e parë në stolin e “Djajve të kuq”, mund të krenohet me një rekord mbresëlënës, kur në lojë janë trofetë.

“Luzitani” ka fituar 11 nga 13 finale të zhvilluara në karrierë, e pasi dështoi këtë vit në fushatën për titullin në Premier League, tifozët në “Old Trafford” shpresojnë se ai do të respektojë parashikimet të mërkurën.

Sfida e parë që mund t’i jepte trofeun Mourinhos ishte, si për ironi, në të njëjtin kompeticion që më parë quhej Kupa UEFA. Asokohe, portugezët e Portos iu imponuan Celtic-ut, 3-2 në ndeshjen e parë, ku u aplikua edhe rregulli i “golit të argjendtë”. Në po të njëjtin vit, por kundër Leirias, Porto kompletoi “tripletën” me Kupën e Portugalisë, gjithnjë me Mourinhon në stol.

Finalja e parë në Champions League e Mourinhos rezervoi triumfin e pabesueshëm 3-0 të Portos ndaj Monakos, dy ekipe “outsider” që ia dolën të surprizojnë edhe më të guximshmit, me ndeshjen elitare të vitit 2004. Ndërkohë, portugezi vazhdonte të koleksiononte trofe.

Fillimi i dinastisë së “Special One” erdhi kur Mourinho zbarkoi te Chelsea dhe fitoi ndaj Liverpoolit në finalen e Kupës së Ligës. Trajneri luzitan u përjashtua, si shpeshherë, në sfidën që shenjoi trofeun e parë të Mourinhos në Angli.

Më pas, në vitin 2007 erdhi një tjetër finale e fituar ndaj Arsenalit. Në po të njëjtin vit, që Chelsea iu imponua Manchester United në “Carling Cup”. Asokohe, në “Wembley” ishte në stolin rival, Sir Alex Ferguson, ai që sponsorizoi më shumë firmën e Mourinhos në pankinën aktuale.

Finalet e fituara pasuruan seritë e tyre me suksesin ndaj Romës, kur Mourinho ishte trajner i Interit në vitin 2010. Ndërsa e bujshmja erdhi në Champions, ndaj Bayern Munchen. Diego Milito shënoi dy herë ndaj gjermanëve, në një ndeshje që Mourinho e çoi në shinat ku mendonte, në tempullin e Realit, ku më vonë do të ulej për të tjera suksese.

Portugezi iu dha “galaktikëve” Kupën e parë të Mbretit pas 18 vitesh, me suksesin ndaj Barçës, për t’u kthyer më pas sërish në Angli, në pankinën e Chelsea. Në një 90-minutësh të denjë për manualet mbrojtëse, blutë londinezë fituan derbin ndaj Tottenham, me golat e John Terry dhe Diego Costa.

E fundit u regjistrua këtë vit, kur “Djajtë e kuq” mundën 3-2 Southampton. Falë kësaj, Mourinho nuk ka humbur kurrë një finale në kompeticionet angleze, brenda 90 minutave.

Top Channel