Kukësi kampion, Gjici: Nuk merrem me arbitrat. Daja: Arbitri nuk donte të fitonim

21/05/2017 00:00

Kukësi shpallet kampion i Shqipërisë për herë të parë në historinë e tij, duke i dhënë fund dominimit të Skënderbeut, që për 6 sezone ishte skuadra më e mirë e Kategorisë Superiore.

Në “Zeqir Ymeri”, verilindorët e drejtuar nga Ernest Gjoka e sigluan këtë sukses pikërisht në përballjen me korçarët, ndaj të cilëve fituan 2-0, në një ndeshje ku ai që mori rolin e protagonistit ishte arbitri Enea Jorgji, që penalizoi jo pak skuadrën e Ilir Dajës.

Pjesa e parë e takimit u mbyll 0-0, por momenti më i rëndësishëm ishte ai i minutës së 10, kur Mici u ndëshkua me karton të kuq. Në fillimin e pjesës së dytë, një penallti e dyshimtë e fituar nga Emini i dha krah Kukësit, që mori avantazhin me Pero Pejiç.

Në shkallët e stadiumit, entuziazmi i tifozëve ishte i madh, ndërkohë që në fushën e lojës kishte ende për të treguar. Minuta e 57 ishte dhe më kulmorja, kur arbitri bëri një gabim edhe më të madh. Latifi u pengua në zonë, por ai në vend që të akordonte 11-metërsh, i tregoi futbollistit kartonin e verdhë për simulim.

Situata u përkeqësua, pasi Osmani e kapi prej duarve Jorgjin, që më pas i tregoi kartonin e kuq. Korçarët u irrituan tej mase, ndërkohë që Salihi bëri një protestë simbolike, duke grisur kartonin e kuq të arbitrit. Ndeshja u ndërpre për disa minuta, deri në uljen e tensioneve. Në minutën e 94-t, Pejiç shënoi edhe golin e dytë për Kukësin, që në fund shpërtheu në festë, së bashku me tifozët.

“Natyrisht dua të falënderoj lojtarët në radhë të parë, stafin teknik, trajnerin Gjoka dhe të gjithë personat në klub, që në fakt nuk janë në dukje por kanë punuar shumë për të. Besoj se arritëm një sukses historik. Nuk do të merrem me arbitrimin, por do të thosha që ne këtë titull e kishim merituar”, tha presidenti i Kukësit, Safet Gjici.

“Është një kënaqësi e madhe. Arritëm ta përmbyllnim me sukses të gjithë atë luftë, atë sakrificë. Më në fund arritëm që edhe këtij qyteti t’i japim atë që kishte kaq kohë që e kërkonte. Jam shumë i lumtur për këtë”, tha trajneri i verilindorëve, Ernest Gjoka.

“Jam i gëzuar që dolëm kampionë. Arritëm atë që ka qenë objektivi ynë që në fillim. I përgëzoj të gjithë nga i pari tek i fundit. E meritojmë”, tha Enea Koliqi, futbollist i Kukësit.

“Ishte një ndeshje shumë e fortë, por ne fituam sot kampionatin. Për mua është shumë e rëndësishme, por jo vetëm për mua, pasi është për të gjithë banorët e këtij qyteti”, tha sulmuesi kroat, Pero Pejiç.

“Nuk di çfarë të them. E panë të gjithë ndeshjen. Urime ekipit kampion? Urime. Po të na kishin thënë më përpara, do të kishim luajtur për tifozët, sepse kështu është turp”, tha Tefik Osmani, mbrojtës i Skënderbeut.

“Sot arbitri nuk donte të fitonim, e kishte vendosur. I uroj Kukësit fitimin e kampionatit. S’na mbetet gjë tjetër, vetëm të vazhdojmë me finalen e Kupës së Republikës”, tha trajneri i korçarëve, Ilir Daja.

“Është ndër të vetmet raste që nuk di çfarë të them. Asgjë. Le ta gjykojnë të tjerët, unë s’kam çfarë të them. Kjo punë ka mbaruar tani dhe fjalët janë të kota”, u shpreh sulmuesi shkodran i Skënderbeut, Hamdi Salihi.

Top Channel