Kriza e rezultateve, Interi në kaos

15/05/2017 00:00

Nuk ndodhte prej 35 vitesh, që Interi të regjistronte 8 ndeshje pa fitore në kampionat, gjë që tregon krizën e thellë dhe kaosin që ka mbërthyer këtë skuadër, e cila e sheh veten përfundimisht jashtë zonës europiane.

Ambienti në dhomat e zhveshjes nuk është aspak i qetë, përkundrazi duket sikur të gjithë janë kundër njëri-tjetrit, e këtë e vërtetojnë edhe deklaratat e lëshuara pas përfundimit të ndeshjes me Sassuolon.

“Gabimet janë fryt i një pune jo të mjaftueshme, ku askush nuk është stërvitur në maksimum”, ishte deklarata e Vecchit, ndërkohë që më të ashpër kanë qenë Handanoviç dhe Eder.

Portieri i zikaltërve deklaroi se skuadrës i duhet qetësi dhe diçka ndryshe. Ai shtoi se e kupton gjendjen e tifozëve dhe se Interi nuk mund t’ia lejojë vetes që të jetë në pozita të tilla në kampionat. Handanoviç ranoi se skuadra po jeton momentin më të vështirë të saj.

Ndërsa Eder shkoi edhe më tej, duke lëshuar një mesazh në drejtim të klubit.

“Kush e ndien veten futbollist i Interit duhet t’ua thotë drejtuesve të klubit. E njëjta gjë vlen edhe për ata që duan të largohen. Po kështu, edhe vet drejtuesit e klubit duhet të jenë më të qartë, pasi kështu mund të formohet grupi. Të gjithë duhet të jenë të ndërgjegjshëm, se një skuadër si Interi nuk mund të vazhdojë të bëjë këto paraqitje edhe sezonin e ardhshëm”, tha Eder.

Top Channel