NBA, Cleveland shkon në finale. Houston gjunjëzon San Antonion

08/05/2017 00:00

Cleveland Cavaliers kualifikohen për në finalen e Konferencës së Lindjes në NBA. Skuadra nga Ohio fitoi sërish ndaj Torontos, këtë radhë me rezultatin 109-102, për të mbyllur serinë e përballjeve me kanadezët 4-0.

Në “Air Canada Center”, kampionët në fuqi treguan të gjithë potencialin e tyre, duke e merituar këtë finale. Si gjithnjë, vendimtar për Cleveland u bë LeBron James, që shënoi 35 pikë, ndërkohë që edhe Irving bëri një paraqitje shumë të mirë me 27 pikë të shënuara.

Për LeBron James, kjo do të jetë hera e 7 radhazi që do të luajë një finale të Konferencës së Lindjes.

Kundërshtari i radhës i Cavaliers do të dalë nga sfida mes Bostonit dhe Washingtonit, që është mbërthyer në shifrat 2-2. Në “Verizon Center”, Wizards iu imponuan Celtics duke e fituar përballjen e katërt me rezultatin 121-102.

Diferenca në këtë ndeshje u bë në periodën e tretë, kur Washingtoni regjistroi një rezultat të pjesshëm 26-0. Bradley Beal, me 29 pikë, e John Wall me 27 ishin ata që drejtuan Washingtonin drejt kësaj fitoreje. Seria e përballjeve mes Celtics dhe Wizards do të kthehet në Boston, me skuadrat që do të luajnë sfidën e pestë mes tyre.

Në barazim 2-2 është edhe gjysmëfinalja e Konferencës së Perëndimit mes Houstonit dhe San Antonios. Në “Toyota Center”, Rockets u hakmorën për humbjen e sfidës së tretë ndaj Spurs, duke i mposhtur 125-104.

Basketbollistët e Houstonit u treguan të saktë në 19 gjuajtje nga distanca me vlerë 3-pikëshe, statistikë kjo që tregon dominimin e kësaj skuadre në derbin e katërt të Teksasit. James Harden ishte shënuesi më i mirë për Houston, me 28 pikë, ndërsa për Spurs spikati Jonathan Simmons, me 17 pikë të shënuara, me basketbollistin që e nisi ndeshjen nga pankina.

Top Channel