UEFA mund të ndryshojë formulën e penalltive

05/05/2017 00:00

Formula e gjuajtjeve të penalltive mund të ndryshojë në të ardhmen, kjo është një prej pikave që zyrtarë të UEFA-s po diskutojnë pasi kanë analizuar statistikat e dala nga gjuajtjet e penalltive.

Në 60% të rasteve rezulton se ekipi që gjuan penalltinë e parë fiton.
A është kjo një koeçidencë?! Nëse do të qëndrohet tek pjesa e shifrave, ka një logjikë të caktuar dhe do të thuhej se po.  Por duke parë opinionet e të interesuarve direktë, futbollistë e trajnerë dhe historikut shumë vjeçar do të kuptohej se problemi nuk është thjesht shifror.

Goditja e parë, nëse kthehet në gol krijon avantazhe të padyshimta psikologjike, ndërsa ekipi që paraqitet i dyti duhet përballet me presionin dhe idenë se duhet të shënojë për të barazuar rezultatin dhe me shpresën që ekipi i parë duhet të gabojë për të fituar.

Për këtë arsye është menduar që në futboll të përdoret e njëjta formulë si në tenis, kur seti përfundon barazim.

Pra nëse kemi ekipin A dhe B të cilat do të gjuajnë nga 5 penallti, ndryshe nga formula tradicionale ku fillimisht gjuan një ekip, pastaj tjetri, do të kemi formulën A-BB-AA-BB-AA-B. Dhe nëse dalin barazim goditja e penalltive do të rifillojë nga fillimi.

Një risi që ka pak shanse që të vihet në zbatim në sezonin e ardhshëm, megjithatë ka disa që ngrenë hipotezën që të vihet në funksion për herë të parë gjatë botërorit Rusi 2018, shkruan Sportmediaset.

Top Channel