Korea e Veriut akuzon CIA-n: Komplot për vrasjen e Kim Jong un

05/05/2017 00:00

Peniani akuzon CIA-n se po komploton për vrasjen e liderit koreano-verior Kim Jong Un me substanca biokimike.

Agjencia shtetërore e lajmeve KCNA citonte një deklaratë të Ministrisë së Sigurisë se shtetit ku pretendohej se një grup terrorist, i mbështetur nga Agjencia Qendrore amerikane e Inteligjencës dhe sherbimet sekrete të Seulit ka hyrë në territorin e shtetit komunist me qëllim që të sulmojë udhëheqësin e tij.

“Por ne do t’i gjejmë e do t’i shkatërrojmë pa mëshirë këta terroristë”, ishte mesazhi i ministrisë. Raporti i jashtëzakonshëm prej 1.800 fjalësh sqaron gjithashtu se në komplot është përfshirë dhe një qytetar koreano-verior.

Sipas dokumentit, në shënjestrimin e Kim do të përdoreshin lëndë biokimike, duke përfshirë këtu substanca radioaktive dhe lëndë nano-helmuese. Shërbimi sekret koreano-jugor nuk ka bërë deri asnjë tani koment mbi pretendimet e vendit fqinj.

Një akuzë e ngjashme u paraqit vitin e kaluar kundër Penianit nga Seuli, pas vrasjes së Kim Jong nam, siç thuhet, nga agjentë koreano-veriorë.

Vëllai nga babai i liderit të Koresë së Veriut u helmua me gaz nervin në kohën kur ndodhej në aeroportin e Kuala Lumpurit dhe vdiq rrugës për në spital.

Top Channel