“Play off”-et e NBA, Jazz në gjysmëfinale. Boston fiton ndaj Uashingtonit

01/05/2017 00:00

Utah Jazz është skuadra që plotëson kuadrin e gjysmëfinaleve të Konferencës së Perëndimit në NBA.

Në “Staples Center”, Utah arriti të fitojë ndeshjen e 7 me LA Clippers, 104-91, për të mbyllur llogaritë e sfidave 4-3 dhe tani e pret përballja me Golden State Warriors.

Utah Jazz ishte gjatë të gjithë kohës në avantazh, ndërsa në periodën e tretë e çoi në 21, diferencën e pikëve me kalifornianët.

LA Clippers u përpoq që të rikthehet në lojë nëpërmjet pikëve të DeAndre Jordan e Jamal Crawford, por nuk mundi të bëjë dot më shumë veçse të shkurtojë diferencën në 8 pikë, duke i dhënë përfundimisht lamtumirën fazës së “play off”-eve.

Për Utah Jazz shkëlqeu i zakonshmi Hayward me 26 pikë, Derrick Favors me 17 pikë e 11 topa në tabelë, si dhe George Hill me 17 pikë.

Në Konferencën e Lindjes nisi faza e gjysmëfinaleve me sfidën mes Bostonit dhe Washingtonit të zhvilluar në “TD Garden”, aty ku ishte skuadra e Celtics që fitoi aktin e parë të kësaj përballjeje me rezultatin 123-111.

Por fillimi i ndeshjes ishte shumë më i mirë për Washingtonin, që regjistroi një rezultat të pjesshëm 16-0. Bostoni shfaqi të gjithë krenarinë e tij dhe reagoi pas këtij starti katastrofik të ndeshjes, e në periodën e dytë arriti të vendosë ekuilibrin në parket.

Pas pushimit të ndeshjes, ishte Bostoni që vuri diktatin e tij në lojë, falë rezultatit të pjesshëm 36-16, që goditi lojtarët e Washingtonit në aspektin psikologjik, me këta të fundit që nuk ditën më t’i kundërpërgjigjeshin Celtics.

Si gjithnjë, vendimtar për Bostonin u bë Thomas me 33 pikë e 9 asiste, ndërsa Crowder e mbylli ndeshjen me 24 pikë, 18 nga të cilat i shënoi nga distanca. Mjaft mirë u paraqit edhe Horford, që doli nga parketi me 21 pikë, 9 topa në tabelë dhe 10 asiste.

Top Channel