Inter në krizë, as me De Boer kaq keq

30/04/2017 00:00

Interi futet në një krizë të thellë rezultatesh dhe loje, pasi nuk fiton prej gjashtë takimesh, ndërkohë që ka humbur katër dhe barazuar dy.

Trajneri Pioli ka regjistruar edhe një rekord negativ të viteve të fundit, pasi zikaltrit kishin kohë që dështonin të fitonin në gjashtë takime radhazi. Në gjashtë takimet e fundit, zikaltrit kanë pësuar 14 gola e kanë shënuar vetëm 10 dhe kanë sfumuar mundësinë e pjesëmarrjes, jo vetëm në Champions, por edhe në Europa League.

Napoli ishte shumë i qartë dhe që në fillim u duk se sulmi i ta kaltërve do të vinte në vështirësi mbrojtjen zikaltër. Gjithsesi kërcënimet në portat respektive ishin të pakta, ku veçohet një rast i Mertens përballë Handanoviç dhe një goditje me kokë e Icardit.

Në minutën e 43-të, japonezi Nagatomo gabon rëndë dhe i dhuron sulmuesit spanjoll, Callejon, topin e golit të avantazhit, duke mbyllur pjesën e parë me rezultatin 0-1.

Në pjesën e dytë loja ka të njëjtën tablo, me zikaltërit që përpiqen të barazojnë, por që janë shumë të paqartë në manovrën sulmuese dhe ekipi i Sarrit që del shpejt në sulm dhe krijon panik në portën zikaltër. As zëvendësimet e kryera nuk sjellin ndryshim në mënyrën e lojës dhe ndeshja përfundon me rezultatin 0-1 për miqtë.

Top Channel