Basketbolli i femrave, Flamurtari fiton sërish me Tiranën

28/04/2017 00:00

Flamurtari bën një tjetër hap drejt titullit kampion i vendit në basketboll për femra.

Skuadra vlonjate fitoi edhe ndeshjen e dytë finale ndaj Tiranës me rezultatin 48-45, në një ndeshje ku përcaktuese u bë perioda e katërt e saj.

Ishte një ndeshje ku u duk qartë presioni mbi të dyja skuadrat që u vërtetua nga gabimet e shumta në gjuajtja nga basketbollistet e tyre.

Tirana kishte diçka më shumë në 3 periodat e para, ndërkohë që në krahun tjetër basketbollistet e Flamurtarit bënë shumë gabime, ku Çorto ishte ajo që kishte më saktësi në gjuajtjet e saj.

Gjërat ndryshuan në periodën e katërt, kur Flamurtari barazoi shifrat në 40-40 dhe më pas mori kryesimin në 45-42 falë Çortos që shënoi 5 pikë radhazi.

Ky avantazh u ruajt me fanatizëm nga vajzat e Viron Toskës deri në fundin e takimit.

Ndeshja e tretë mes Flamurtarit dhe Tiranës do të luhet në 30 prill ku vlonjateve u nevojitet vetëm një fitore për të mbyllur përfundimisht llogaritë e këtij sezoni në kampionatin e femrave.

Top Channel