Rikthehet Haradinaj: Shqiptarët nuk i nënshtrohen Serbisë

27/04/2017 00:00

Ramush Haradinaj u prit nga simpatizantët e tij teksa kthehej në Kosovë. Pas vendimit të Gjykatës së Colmarit në Francë, kreu i AAK-së mbërriti në sheshin kryesor të Prishtinës.

Përkrahja ndaj tij nuk ka munguar. Haradinaj tha se ka pasur mbështetjen e shqiptarëve nga të gjitha anët, por ka kritikuar qeverinë e Kosovës për mungesë përkrahjeje.

Mesazhi i tij për Serbinë ka qenë se, Beogradi nuk ka më vend në Kosovë.

“Nëse ata në Beograd kujtojnë se ne shqiptarët harrojnë shpejt, gabojnë. Nuk harron shqiptari. Shqiptarët janë një popull i pastër, liridashës dhe paqedashës. Por shqiptarin nuk mundesh ta nënshtrosh, siç ka bërë Slobodan Miloseviç. 500 mijë shqiptarë kanë kaluar nëpër burgje. Janë rreth 20 mijë të vrarë dhe nuk ka mundur kush t’i nënshtrojë. Ne duhet t’ia tregojmë vendin armikut, Serbisë, dhe duhet t’ua bëjmë ashtu siç ka vepruar kroati. Brenda Kosovës dhe mes shqiptarëve nuk keni vend”, deklaroi Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së dhe ish-Kryeministër i Kosovës.

Qytetarët që pritën ish-kryeministrin kosovar thanë se shpresojnë që kthimi i tij do ta ndihmojë Kosovën.

Haradinaj qëndroi për mbi 4 muaj në Francë, pasi u arrestua në një aeroport me kërkesën e Serbisë. Gjykata franceze i tha “jo” ekstradimit të tij në Beograd, por kjo nuk ishte hera e parë që ai ndalohet, pas vendimeve të Gjykatës së Hagës për pafajësinë e tij.

Top Channel