MotoGP, Marquez apo “mbreti” i rrëzimeve?

26/04/2017 00:00

Çmimi i Madh amerikan në MotoGP, i zhvilluar në Austin të Teksasit, rezultoi shumë i vështirë për pilotët e të 3 kategorive të këtij botërori, pasi një pjesë e tyre u bënë protagonistë të disa rrëzimeve në pistën teksane.

Një aspekt ky që nuk la indiferente Dornën, që pas përfundimit të kësaj gare bëri edhe analizën e saj për këtë fillim sezoni.

Në këtë aspekt, ata që kryesojnë janë Marc Marquez dhe Cal Crutchlow me 5 rrëzime, ndërkohë podiumin e plotëson Dani Pedrosa me 3 të tillë. Menjëherë pas spanjollit të Hondës renditen Vinales, Zarco, Folger dhe Jack Miller me nga dy rrëzime, ndërkohë që të bie në sy fakti se, kryesuesi i Botërorit Valentino Rossi nuk është rrëzuar në asnjë moment gjatë 3 garave të para të Botërorit. Një e dhënë kjo, që vërteton sesa i qëndrueshëm është në paraqitjet e tij 9 herë kampioni i botës, edhe pse 38 vjeç tashmë.

Nëse bëjmë krahasimet mes skuadrave, Honda ka 15 rrëzime në total, kundrejt vetëm 6 të pilotëve të Yamahës. Po të bëjmë një përllogaritje të incidenteve të ndodhura nga viti 2013 e deri tani, dominuesi është padyshim Marc Marquez me 61 rrëzime, duke lënë shumë prapa shokun e tij të skuadrës, Dani Pedrosa me 28, e Lorenzon me 21, ndërsa Valentino Rossi është rrëzuar vetëm 15 herë gjatë kësaj periudhe.

Top Channel