“Play-off”-et e NBA, Golden State në gjysmëfinalet e Perëndimit

25/04/2017 00:00

Golden State mbyll të gjitha llogaritë me Portland dhe kualifikohet për në gjysmëfinale të Konferencës së Perëndimit në NBA.

Skuadra kaliforniane fitoi edhe ndeshjen e katërt ndaj Portland 123-103 për të mbyllur serinë e përballjeve me Trailblazers 4-0. Trajneri Steve Kerr mungoi edhe në këtë ndeshje i bllokuar nga dhimbjet në shpinë, por kjo duket nuk ndikoi shumë te Warriors që dha spektakël në parketin e Moda Center të Portland. Ai që shkëlqeu më shumë se të tjerët ishte Stephen Curry me 37 pikë, 21 nga të cilat ishin nga distanca e 3 pikëve. Bënë një figurë shumë të mirë edhe Draymond Green me 21 pikë e Klay Thompson me 18.

Më e ekuilibruar është situata në Konferencën e Lindjes. Toronto mundi Milwaukee 118-93 duke marrë kryesimin në 3-2 në serinë e përballjeve mes tyre. Kanadezët e morën kontrollin e lojës që në periodën e parë kur regjistruan rezultatin e pjesshëm 17-0 për të mbyllur më pas këtë 12 minutësh 31-20. Më pas për Raptors u bë  e lehtë detyra për administrimin e këtij avantazhi deri në fundin e ndeshjes ku shënuesi më i mirë rezultoi Norman Powell me 25 pikë.

Ndërsa seria e ndeshjeve mes Atlantës dhe Washington është mbërthyer në barazimin 2-2 pas suksesit të Hawks në sfidën e 4 me rezultatin 111-101. Ndeshja ishte e barabartë deri 8 minuta nga fundit kur Atlanta shënoi rezultatin e pjessshëm 6-0 falë pikëve të Princë, Millsap dhe Hardaway Jr, ndërkohë që më pas mendoi Schroeder të mbyllë përfundimisht këtë ndeshje teksa shënoi 10 pikë në 4 minutat e fundit të saj.

Top Channel