Presidencialet në Francë; Hollande: Votoni për Macron

24/04/2017 00:00

Partitë kryesore franceze që për herë të parë në 6 dekada nuk kanë asnjë kandidat në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale janë rreshtuar në mbështetje të Emanuel Macron, në përpjekjen për të penguar fitoren e kandidates se ekstremit te djathte Marin Le Pen.

Gjatë një fjalimi televiziv presidenti francez Francois Hollande tha se do të votonte për ish-ministrin e Ekonomisë, pasi e djathta ekstreme kërcënonte përçarjen e thellë të Francës.

“E djathta ekstreme do të përçajë Francën, do të stigmatizoje qytetarët tanë për shkak të origjinës dhe besimit të tyre. Përballe këtij rreziku është e pamundur të heshtësh. Zgjedhja është e qartë dhe unë do të votoj me Emanuel Macron”, u shpreh Hollande, Presidenti aktual francez.

Më herët edhe kandidatet e mundur, republikani Fransua Fijon, i cili u rëndit i treti në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale dhe socialisti Benua Hamon i bënë thirrje mbështetësve të votojnë për ish-bankierin në 7 maj.

Vota kundër së djathtës ekstreme ishte e vetmja zgjidhje sipas tyre. Udhëheqësja e Frontit Nacional Marin Le Pen nxitoi të sulmonte rivalin e saj duke e quajtur të dobët, për politikat kundër terrorizmit.

‘Macron është treguar i dobët sa i përket terrorizmit Islamik, e madje nuk ka as program për të mbrojtur popullin francez kundër këtij rreziku. Kjo është diçka shume shqetësuese”, tha Marin Le Pen.

Ish ministri i Ekonomisë, një person jashtë politikës qendrore siguroi 23.8 përqind të votave në raundin e parë të zgjedhjeve të së dielës, ndërsa rivalja e tij, liderja e ekstremit të djathtë, mori 21.5 përqind të votave. Një sondazh i fundit nga Opinion Way sugjeron se raundi i dytë do te fitohet nga Macron me 61 përqind të votave kundër 39 përqind të Le Pen.

Top Channel