Luftëtari, rikthehet në detyrë trajneri serb

18/04/2017 00:00

Presidenti i Luftëtarit ka arritur të rikthejë trajnerin Milinkoviç dhe drejtorin e klubit, Gentian Nora, në detyrat e tyre, pas dorëheqjes që ata dhanë në fundjavë, si shkak i padrejtësisë së radhës në Kategorinë Superiore.

“U thashë se do vazhdojmë – ashtu siç e kemi emrin, – luftëtarë e të luftojmë, sepse na presin sfida të tjera përpara. Përfundimisht trajneri, i cili është shumë i përgatitur nga ana profesionale, por edhe një njeri shumë i mirë, reagoi pozitivisht ndaj kërkesës sime”, tha Grigor Tavo.

Rezultatet negative, që gjirokastritët pretendojnë se kanë ardhur më së shumti nga arbitrat dhe gjykimi tendencioz, kanë sjellë një situatë të rëndë psikologjike për ekipin surprizë të Superiores, që ende nuk ka kaluar.

“Nuk më shikonin dhe nuk i shikoja dot futbollistët në sy. Ishin kaq shumë të mërzitur që nuk po çliroheshin dhe nuk iu ikte mërzia nga kjo që ndodhi. Nuk e përtypin dot”, theksoi më tej Tavo.

Cilido tifoz që ka pasur dyshime se Luftëtari ka toleruar, apo më keq, ka shitur ndeshjen, presidenti Tavo i bën thirrje të besojë në ndershmërinë e klubit.

“Ata duhet ta kuptojnë se na kanë ngrënë në besë. Nuk duhet të diskutojnë se mos është shitur ndeshja, apo është blerë ndeshja. Këtë nuk dua ta dëgjoj. Shitblerje ndeshjesh nuk do të ketë në ekipin e Luftëtarit”, deklaroi Tavo.

Ndeshja e radhës e Luftëtarit do të jetë të shtunën e 22 prillit, ndaj Korabit, një përballje mes dy ekipeve të ngjitura këtë vit në Superiore, por me dibranët që kanë pasur një fat të ndryshëm nga gjirokastritët.

Top Channel