Britani, kërkohet heqja e shtetësisë bashkëshortes së Assadit

18/04/2017 00:00

Ligjvënësit britanikë kanë kërkuar që bashkëshortes së presidentit sirian, Bashar al-Assad, të lindur në Britani, t’i hiqet shtetësia britanike.

Nadhim Zahawi, pjesëtar i Partisë Konservatore në pushtet, tha se Asma al-Assad, e lindur në Londër dhe që ka shtetësi të dyfishtë, britanike dhe siriane, ka përdorur llogaritë e saj në mediet sociale për të mbështetur regjimin vrasës.

“Bashkëshorti i saj ka kapërcyer çdo kufi, duke përdorur edhe gazin helmues mbi popullin e vet, ndërsa ajo duhet të ndajë mendjen”, tha Zahawi.

I lindur në Bagdad nga prindër kurdë dhe i ardhur në Britani kur ishte fëmijë, ai është sot pjesëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme. Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara kanë fajësuar Assadin për sulmin kimik në qytetin e kontrolluar nga rebelët, Khan Sheikhoun, në provincën e Idlibit, ku humbën jetën 89 persona, mes tyre edhe fëmijë.

Siria vet ka mohuar akuzat. Sulmi bëri që Shtetet e Bashkuara të sulmonin me raketa një bazë ushtarake siriane. Shkencëtarët britanikë pretendojnë se kanë prova, se gazi sarin apo një substancë e ngjashme është përdorur në sulm.

“Ai është bërë një monstër dhe mendoj se duhet të largohet, bashkë me rrjetin e tij të propagandës. Zonja Assad, edhe pse ka shtetësi të dyfishtë, propagandon këtë regjim vrasës”, tha Zahawi.

Asma al-Assad, 41 vjeç, ka një llogari në “Instagram”, ku foto të saj dhe të bashkëshortit postohen nën hashtagun #WeLoveYouBashar. Ajo poston gjithashtu në “Facebook” dhe “Telegram” dhe ka më shumë se 500 mijë ndjekës në llogaritë e saj.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel