Argjentina shpreson në reduktimin e pezullimit të Messit

17/04/2017 00:00

Argjentina nuk ka ndërmend të heqë dorë nga shërbimet e Lionel Messit, në 3 nga 4 ndeshjet e fundit të kualifikueseve të Botërorit, “Rusi 2018”.

Për këtë arsye, Federata argjentinase e Futbollit apeloi vendimin e FIFA-s për dënimin me 4 ndeshje pezullim të kapitenit të “Seleccion”, për fyerje ndaj arbitrit anësor në ndeshjen me Kilin.

Sipas asaj që publikohet te “La Nacion”, objektivi i drejtuesve të AFA-së është përgjysmimi i këtij dënimi, nga 4 në dy ndeshje pezullim, në mënyrë që Messi të mungojë vetëm në ndeshjen me Uruguajin dhe të jetë i pranishëm në përballjet me Venezuelën, Perunë dhe Ekuadorin.

Gjithnjë sipas “La Nacion”, një tjetër mundësi është që FIFA ta konfirmojë skualifikimin, por duke shtuar edhe ndeshjet miqësore për zbatimin e tij. Në këtë rast, Messi do të humbasë sfidën me Brazilin, Singaporin e më pas edhe Uruguajin, për të qenë në 3 ndeshjet e tjera, ku do të kërkojë të ndihmojë skuadrën e tij për të përmirësuar pozitat e saj në grupin e Amerikës Latine, teksa Argjentina renditet në vendin e pestë.

Më 4 maj do të mbahet edhe seanca dëgjimore në lidhje me këtë çështje, ndërsa Messi pritet të jetë i pranishëm në Zurich për të dhënë shpjegimet e tij për atë çfarë ndodhi në sfidën me Kilin.

Top Channel