Isco afron Realin me titullin

15/04/2017 00:00

Reali i Madridit duhet t’i falet Isco-s për fitoren e arritur ndaj Sportingut të Gijonit në ndeshjen e radhës në Ligën Spanjolle.

Skuadra e Zinedine Zidane arriti të fitojë me rezultatin 3-2 në një ndeshje që u duk se po shkonte drejt barazimit. Gijon shënoi i pari që në minutën e 15 me anë të Duje Çop, por festa e skuadrës asturiane nuk zgjati shumë pasi në të 17 Isco barazoi 1-1, rezultat ky që mbeti i tillë deri në fund të 45 minutave të para.

Në pjesën e dytë u pa e njëjta pamje, Sporting Gijon kaloi sërish në avantazh me Mikel Vesgen, por kundërpërgjigjja e Los Blancos ishte e menjëhershme pasi Alvaro Morata shënoi një tjetër gol për ta duke e çuar rezultatin në 2-2.

Kur u mendua se Gijoni po arrinte t’i rrëmbente një pikë Realit të Madridit, Isco shënoi edhe golin e tretë duke i dhuruar suksesin skuadrës së tij që vazhdon të qëndrojë në krye të renditjes.

Top Channel