Turqi, shpërthim në “kryeqytetin” kurd

11/04/2017 00:00

Një shpërthim i fuqishëm është verifikuar mëngjesin e sotëm në Dijarbakir, i njohur si kryeqyteti kurd në jug-lindje të Turqisë. Lajmin e bëjnë të ditur mediat lokale.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur mjete të shumta policie dhe ambulance. Për momentin shkaqet e shpërthimit, i dëgjuar në zona të ndryshme të qytetit, nuk janë të qarta. Nga vendi i ngjarjes është ngritur një re e madhe tymi.

Nga hetimet paraprake është konstatuar se shpërthimi është verifikuar në një komisariat policie, ku punojnë njësitë anti-protestë, në lagjen Baglar.

Shpërthimi i ka shkaktuar dëme të shumta godinës dhe mjeteve të policisë përreth. Gjithashtu, për momentin llogariten 4 të plagosur, njëri prej të cilëve është në gjendje të rëndë, bën të ditur televizioni privat NTV.

Shpërthimi i paraprin me 5 ditë referendumit që do të mbahet në Turqi, ku qytetarët do të shprehen nëse aprovojnë përforcimin e pushtetit të presidentit Erdogan, i cili synon ndryshimin e republikës nga parlamentare në presidenciale.

Dijarbakir është qyteti më i madh në jug-lindje të Turqisë, ku partia kurde PKK lufton kundër shtetit prej më shumë se 3 dekadash për autonomi. Dhuna ka arritur pikun që nga rënia e armëpushimit në korrik 2015.

Top Channel