Egjipt, gjendje emergjence pas sulmeve ndaj kishave

10/04/2017 00:00

Presidenti i Egjiptit, Abdul Fattah al-Sisi shpalli vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend për 3 muaj me radhë. Lëvizja e tij pasoi sulmet me bomba në dy kisha kopte që përgjakën “të dielën e palmave”, duke shkaktuar gati 50 të vdekur e 78 të plagosur.

Masa e kreut të shtetit u lejon autoriteteve arrestimet dhe kontrollet pa mandat në shtëpitë e personave që mund të konsiderohen të dyshuar. Përpara se të vihet në jetë, megjithatë, ajo kërkon “dritën jeshile” të Parlamentit.

“Po merren një sërë masash, e para e të cilave është vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme. Forcat e sigurisë po i shtojnë përpjekjet e tyre për kapjen e agresorëve e kriminelëve, si dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tyre, në mënyrë që të marrin ndëshkimin e merituar”, tha Abdul Fattah al-Sisi, president i Egjiptit.

Përgjegjësinë e sulmeve që shënjestruan njërën prej ditëve më të rëndësishme të kalendarit të krishterë të minoritetit të cënueshëm kopt, e mori Shteti Islamik.

Të paktën 27 vetë u vranë brenda një kishe në qytetin verior të Tantës, ndërsa 18 civilë dhe 4 policë humbën jetën nga kamikazi që hodhi veten në erë përpara një kishe në Aleksandri.

Në një deklaratë të shpërndarë prej mbështetësve të tij, grupi ekstremist i identifikoi atentatorët si shtetas egjiptiane dhe paralajmëroi për sulme të tjera. Të krishterët përbëjnë rreth 10% të popullsisë egjiptiane dhe janë shpesh objekt sulmesh nga grupe ekstremiste myslimane.

Top Channel