Intrigat në Uashington, takohen Bannon e Kushner

09/04/2017 00:00

Në një përpjekje për të sheshuar mosmarrëveshjet e për t’i dhënë fund luftës së brendshme që ka përfshirë Shtëpinë e Bardhë, 2 këshilltarët e lartë Steve Bannon dhe Jared Kushner kanë zhvilluar një takim me kërkesë të shefit të stafit Reince Priebus.

Lajmi u bë i ditur nga një zyrtar i larte i administratës, i cili tha se përplasjet mes tyre po devijonin vëmendjen nga mesazhi i Donald Trump.

Bannon është kryestrateg i Trump, ndërsa Kushner një këshilltar me shumë ndikim e gjithashtu dhëndër i Presidentit Amerikan.

Takimi në resortin “Mar a Lago” të Trump në Palm Beach të Floridas, vjen në fund të asaj që është cilësuar një javë më e qetë për numrin 1 të Uashingtonit. Mesazhi i Preibus për Bannon dhe Kushner ishte që t’i jepnin fund intrigave e të përqendroheshin tek axhenda e Presidentit.

Gjatë takimit të dy ranë dakord se kishte ardhur koha për t’i lënë pas mosmarrëveshjet e për të vazhduar përpara, siç bëri të ditur një burim anonim për agjencinë e lajmeve Reuters.

Kushner dhe Bannon, dy prej zërave më me influencë në administratën Trump janë përplasur vazhdimisht lidhur me strategjinë për miratimin e ligjit të ri për shëndetësinë, për urdhrat kundër emigracionit e më se fundmi për ndërhyrjen në luftën siriane.

Top Channel