Sinjal për Realin, Bajerni shkatërron 4-1 Dortmundin

08/04/2017 00:00

Humbja ndaj Hofenheimit ishte rastë. Dy gola të Levandovskit, një i Riberisë dhe një tjetër nga Roben vulosën fitoren e Bajernit në supersfidën e Bundesligës për këtë javë.

Bavarezët mposhtën Borusian e Dortmundit me rezultatin 4-1 dhe protagonist në këtë takim ishte holandezi Roben, i cili në kërkim të golit personal u tregua egoist dhe shpërdoroi disa raste të pastra goli.

Skuadra e drejtuar nga Ancelotti i tregoi që në minutat e parë sinjalet se në këtë takim nuk do të toleronte një tjetër hap fals. Riberi gjeti rrjetën që në minutën e katërt dhe gjashtë minuta me vonë ishte Levandovski që e dyfishoi atë.

Dortmund u rikthye në lojë në minutën e 20 falë golit të shënuar nga Guerriero, megjithatë, pjesa e parë u mbyll 2-1 për bavarezët. E dyta nisi me ritmin e së parës dhe më shumë se Bajerni, golin e gjeti Roben, që për minuta me radhë provoi me të gjitha mënyrat të shënonte. Pas tij, Levandovski vulos rezultatin 4-1 nga pika e bardhë e penalltive.

Më shumë sesa pikët e marra, në këtë takim me interes ishte paraqitja e Bajernit, që në mesjavë pret në të njëjtin stadium Realin e Madridit në takimin e parë të vlefshëm për çerekfinalet e Ligës së Kampionëve.

Top Channel