SHBA, rikthehet shumica konservatore në Gjykatën Supreme

07/04/2017 00:00

Senati amerikan konfirmoi të përzgjedhurin e presidentit Trump për Gjykatën Supreme, pas një beteje të hidhur 14-mujore për kontrollin e gjykatës më të lartë në vend.

Të premten, Senati votoi me 54 vota pro dhe 45 kundër, për të konfirmuar emërimin e gjykatësit të Apeleve të Denverit, Neil Gorsuch, në Gjykatën Supreme.

Konfirmimi i tij ishte thjesht çështje procedure, pasi një ditë më parë republikanët ndërmorën hapin historik të ndryshimit të rregullave në Senat për të kaluar me forcë zgjedhjen e tyre.

Emërimi i Gorsuch u jep republikanëve kontrollin e Gjykatës Supreme, pasi rikthen tek ajo shumicën konservatore. Gorsuch u konfirmua 65 ditë pas propozimit të emrit të tij, por beteja për të zënë vendin e lirë në gjykatë nisi me vdekjen e Antonin Scalias, një prej yjeve të konservatorëve, shkurtin e vitit 2016.

Mosmarrëveshjet mes republikanëve dhe demokratëve për emrin e duhur bënë që të shënohej periudha më e gjatë, që Gjykata Supreme kishte një vend vakant që prej luftës civile të vitit 1862.

Analistët thonë se, megjithëse Gorsuch shmangu me mjaft zotësi pyetjet për çështje ligjore gjatë seancave dëgjimore, ai është një konservator i bindur dhe pritet që të gjykojë kështu.

Demokratët kishin kërkuar që Gorsuch të konfirmohej me 60 vota, por republikanët, duke mos i pasur këto vota, përdorën “opsionin bërthamor”; pikërisht ndryshimin e rregullave, diçka që edhe nga figura veterane brenda Partisë Republikane u cilësua si një ditë e keqe për demokracinë.

Top Channel