Sulmi me armë kimike, Siria vendos kushte për hetim nga OKB

06/04/2017 00:00

Ministri i Jashtëm i Sirisë vendosi kushte për çdo hetim të mundshëm të OKB-së për vdekjen e dhjetëra njerëzve nga sulmi me armë kimike, për të cilin regjimi i Assadit nuk pranon përgjegjësi.

Walid Muallem deklaroi se hetimi duhet të jetë jo politik, të përfshijë shumë vende dhe të nisë nga Damasku, përndryshe nuk do të lejohet.

Kryediplomati sirian nuk harroi të mohonte akuzat se, Siria bombardoi civilët me armë kimike, pavarësisht se askush nuk i beson këto.

Muallem tha se qeveria e tij, në bashkëpunim me Rusinë, do të konsiderojë pranimin e një hetimi të mandatuar nga OKB-ja, nëse plotësohen kushtet. Ai akuzoi gjithashtu grupet islamike, që nuk janë pjesë e armëpushimit të negociuar nga Rusia dhe Turqia, se kishin magazinuar armë kimike në zona urbane.

Menjëherë pas sulmit, Rusia tentoi të mbështeste qëndrimin e Sirisë, duke thënë se bombat e lëshura nga avionët sirianë goditën një depo armësh kimike të rebelëve në tokë. Por, thuasje i gjithë komuniteti ndërkombëtar i ka refuzar këto justifikime, për sulmin që u kushtoi jetën 86 njerëzve, mes të cilëve 27 fëmijë, dhe tani kërkon mbajtje përgjegjësie nga Siria.

Nëse kjo do të arrihet mbetet për t’u parë, por gjithnjë e më shumë vende kërkojnë që Assad dhe regjimi i tij të mos ia hedhin sërish pa u lagur pas mizorive të tilla.

Top Channel