Ndërhyrja ruse, dorëhiqet kreu i komisionit hetimor në SHBA

06/04/2017 00:00

Kreu i komisionit hetimor të Kongresit amerikan për ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale është tërhequr nga kjo detyrë për shkak të një hetimi etik që po bëhet ndaj tij.

Kryetari i komisionit të inteligjencës, Devin Nunes është aktualisht nën hetim nga Komisioni i Etikës së Dhomës së Kongresit, që po shqyrton deklaratat se eksponenti republikan ka shpërndarë informacione të klasifikuara.

Nunes e cilësoi akuzën si “tërësisht të rremë” dhe “të motivuar politikisht”. “Aktivistë të shumtë të së majtës kanë ngritur akuza ndaj meje pranë Zyrës së Etikës së Kongresit”, tha Nunes.

Ai shtoi se do të vazhdojë të implementojë përgjegjësitë e tjera të tij dhe u shpreh i gatshëm të dalë përpara komisionit të etikës për të sqaruar dhe hedhur poshtë “këto akuza të rreme”.

Përfaqësuesi tjetër, Mike Conaway do të marrë në dorë frenat e hetimit për ndërhyrjen ruse.

Zëdhënësi i Dhomës, Paul Ryan deklaroi se mbështet plotësisht vendimin e Nunes, duke vlerësuar gatishmërinë e tij për t’u përballur me komisionin e etikës.

Por nga ana tjetër ai shtoi se, hetimi do të përbëjë një shpërqendrim të punës së komitetit të inteligjencës, që po heton ndikimin e Moskës në zgjedhjet që sollën Trump në pushtet.

Top Channel