Rusia: Sulmi me armë kimike, i rëndë. Por të mos ngutemi

06/04/2017 00:00

Edhe Moska u është bashkuar kritikave sa i takon përdorimit të armëve kimike në Siri, ndonëse ka bërë thirrje që palët të jenë më të moderuara në reagimet e tyre.

“Përdorimi i armëve kimike në Siri është një krim i rrezikshëm dhe monstruoz, por është ende shumë shpejt për të akuzuar dikë sepse mungojnë provat e duhura”, ka deklaruar Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit Putin.

Kremlini është i mendimit se duhet një qasje më e balancuar dhe jo të dilet me përfundime të ngutura përsa ndodhi në provincën e Idlibit.

Reagimi i presidencës ruse ka ardhur pas fjalëve të presidentit amerikan Donald Trump, që e cilësoi sulmin “një krim të tmerrshëm kundër njerëzimit”, që ka ndryshuar qëndrimin e tij ndaj Sirisë dhe presidentit Assad.

Ndërkohë, qeveria siriane ka deklaruar se, “nuk ka përdorur kurrë dhe nuk do të përdorë kurrë armë kimike” në vend. Deklarata është bërë nga ministri i Jashtëm, Walid al Muallim, në një konferencë për shtyp në Damask.

Deklarata të ngjashme u bënë nga përfaqësues të qeverisë siriane dhe vetë Al Muallim në vitin 2012, një vit pas sulmit me armë kimike të 2013-s në rajonin e Damaskut, ku humbën jetën disa qindra njerëz.

Top Channel