Ideja për motorë të tyre, McLaren: Prodhojmë makina garash, jo motorë

04/04/2017 00:00

McLaren nuk po mund të gjejë një zgjidhje për problemet e saj. Skuadra britanike e Formulës 1 ka hyrë në vitin e tretë të krizës, ku këtë vit paraqitjet e saj ishin katastrofike, si në testet parasezonale, ashtu edhe në garën e Australisë më 26 mars.

Situata arriti deri aty sa të mendohej për një divorc mes McLarenit dhe kompanisë japoneze Honda, me skuderinë britanike që u mendua se do të krijonte një motor të saj. Një hipotezë që u hodh poshtë nga drejtori ekzekutiv i McLarenit, Zack Brown.

“McLaren Automotive është një njësi biznesi e ndryshme, që ka aksionerë të përbashkët me skuadrën. Formula 1 ndryshon nga kjo njësi, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe për mënyrën e garimit, kështu që nuk mund të bëhen diskutime të tilla. Mund të flasim për këtë çështje pas 10 vitesh, por jo në këtë moment. Jemi kompani e prodhimit të makinave të garave dhe jo të motorëve”, tha Zack Brown.

Top Channel