Tusk: Gjeni zgjidhje për krizën; Ivanov nuk ndryshon qëndrim

03/04/2017 00:00

Kreu i Këshillit Europian, Donald Tusk pret një vendim të arsyeshëm nga presidenti maqedonas, Gjorge Ivanov, për daljen nga kriza politike, por ky i fundit duket se nuk ndërron qëndrim për mandatimin e Zoran Zaevit për formimin e qeverisë.

“Kjo krizë e vazhdueshme politike bllokon vendin tuaj në rrugën drejt eurointegrimit. Ju ngelet juve të gjeni një zgjidhje, që do të jetë e bazuar në parimet demokratike, te mirësjellja, por që të jetë edhe e arsyeshme”, është shprehur Tusk në lidhje me krizën politike, pas takimit me presidentin Gjorge Ivanov.

“Qëndrimi im për dhënien e mandatit nuk ka ndryshuar”, ka thënë presidenti Gjorge Ivanov, pas takimit me presidentin e Këshillit Europian, duke shtuar se duhet të bisedohet për reformat në BE dhe jo për platformat e krijuara në një shtet të huaj, që cenojnë sovranitetin e shtetit.

“E kam njohur në detaje me kompetencat kushtetuese dhe praktikën për ndarjen e mandatit. Qëndrimi im është i pandryshuar. Qeveria e re të mos kontestohet nga asnjë palë, vendimi është parandalues. Bashkimi Europian është garanci për Marrëveshjen e Ohrit dhe asaj të vitit 2015”, tha Ivanov.

Presidenti maqedonas shtoi se po shkelen parimet e fqinjësisë së mirë dhe, me ndërhyrje të drejtpërdrejta sipas tij po manipulohen qytetarët, duke kërkuar ndryshime të reja kushtetuese. “S’na duhen platforma të huaja, por reforma”, përsëriti Ivanov, duke shtuar se  BE-ja duhet ta refuzojë “platformën shqiptare”.

Ivanov njoftoi gjithashtu se me Donald Tusk ka biseduar edhe për krizën e refugjatëve dhe sfidat e Maqedonisë në rrugën eurointegruese.

Top Channel