Lufta kundër ISIS-it, Tillerson: Më shumë kontribut nga aleatët

23/03/2017 00:00

Nga konferenca e koalicionit global kundër Shtetit Islamik në Uashington, shefi i diplomacisë amerikane Rex Tillerson deklaroi se, synimi i Amerikës është shkatërrimi i ISIS-it, por kjo nuk mund të ndodhë – sipas tij, – nëse aleatët nuk pranojnë të shtojnë kontributet e tyre në këtë përpjekje.

Pas profilit të ulët publik që mbajti gjatë dy muajve të parë në detyrë, Sekretari i Shtetit rrëmbeu vëmendjen në takimin e Uashingtonit të fokusuar te lufta kundër grupit më të egër xhihadist të momentit.

“Qëllimi ynë përfundimtar nuk është dobësimi i ISIS-it, është mposhtja e tij. E kuptoj se ka shumë sfida të ngutshme në Lindjen e Mesme, por për Shtetet e Bashkuara, shkatërrimi i kësaj organizate terroriste mbetet objektiv parësor. Në këtë fazë, qëllimi ynë është eliminimi rajonal i Shtetit Islamik përmes forcës ushtarake”, tha Rex Tillerson, kryediplomat i SHBA.

Suksesi i misionit tonë, – vazhdoi më tej Tillerson, – varet nga përkushtimi i vazhdueshëm ndaj vullnetit për ta mundur grupin ekstremist.

“Unë jam i kënaqur të njoftoj se e kemi tejkaluar totalin prej mbi 2 miliardë dollarësh për vitin 2017, për të cilin jemi zotuar. Le të përmbushim premtimet tona, për të shpërndarë fondet për të cilat kemi nevojë, në mënyrë që të kryhen operacione në pjesën tjetër të vitit”, u shpreh ai.

Komentet në fjalë, Sekretari i Shtetit i bëri në çeljen e takimit, ku marrin pjesë ministrat e Jashtëm të 68 vendeve, përfshirë atë shqiptar Ditmir Bushati dhe kryediplomatin e Kosovës, Enver Hoxhaj. Ky është takimi i parë i plotë i koalicionit anti-ISIS që prej vitit 2014.

Top Channel