U21, dy teste me Moldavinë, Bushi publikon lojtarët

18/03/2017 00:00

Kombëtarja shqiptare e U21 do të luajë dy ndeshje miqësore me Moldavinë më 25 dhe 27 mars. Trajneri Alban Bushi prezantoi listën e të përzgjedhurve të tij për këto përballje, të cilat ai i konsideroi si një test shume serioz për ndeshjet zyrtare që e presin këtë ekip.

Në konferencën për shtyp, Bushi theksoi se përzgjedhja e lojtarëve është bërë duke u bazuar te forma e tyre dhe se askush nuk është i përjashtuar apo i grumbulluar përgjtihmonë nga kjo kombëtare. Ajo që të bie në sy në listën e të grumbulluarve, është prania e disa prej futbollistëve që luajnë në kampionatin shqiptar.

“Kam grumbulluar disa lojtarë nga kampionati shqiptar për të krijuar një ide për ta. Sigurisht ka edhe të tjerë nga kampionati shqiptar që janë të gatshëm për ekipin por kam marrë disa të tjerë për të krijuar një ide më të qartë”, thotë Bushi.

Duke u kthyer te sfidat me Moldavinë, Alban Bushi paralajmëroi këdo që ka grumbulluar dhe do të grumbullojë në të ardhmen.

“Dua t’u bëj me dije të gjithë lojtarëve të grumbulluar që mos ta shohin ekipin shpresa si një trampolinë për të luajtur tek ekipi A, por duhet të vijnë për të dhënë maksimumin, përndryshe nuk do të thërriten më me Kombëtaren”, deklaroi ai.

Ndeshjet miqësore me Moldavinë, kombëtarja e 21-vjeçarëve do t’i luajë në 25 në “Elbasan Arena dhe më 27 mars në “Selman Stërmasi”.

Top Channel