Ukraina, bllokadë ekonomike territoreve rebele

15/03/2017 00:00

Ukraina ka vendosur një bllokadë transporti në zonat e kontrolluara prej rebelëve prorursë, një veprim që pritet të shkaktojë pengesa të mëdha ekonomike për to dhe mund të kërcënojë edhe armëpushimin e brishtë në lindje të vendit.

“Bllokada do të jetë në fuqi derisa pushtuesit t’ia rikthejnë nën juridiksion Ukrainës industrinë e vjedhur”, tha presidenti ukrainas, Petro Poroshenko gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë në Kiev, siç raporton agjencia ruse e lajmeve “Interfax”.

Pavarësisht konfliktit 3-vjeçar, shumë lidhje tregtare ishin ruajtur mes zonave të kontrolluara prej separatistëve prorusë, ku dominon industria e rëndë e veçanërisht minierat e qymyrit dhe metalurgjia, si dhe territoreve nën kontrollin e qeverisë ukrainase.

Të gjitha lidhjet hekurudhore dhe rrugore me “shtetet e vogla” të kontrolluara prej rebelëve do të ndërpriten nga kjo e mërkurë, tha Oleksander Turchynov, sekretar i Këshillit Kombëtar të Sigurisë, pas takimit. I vetmi përjashtim do të bëhet për ndihmat humanitare, shtoi Poroshenko.

Njoftimi vjen pas bllokadave ekonomike jozyrtare të kohëve të fundit të organizuara nga aktivistë nacionalistë përreth zonave nën kontrollin e rebelëve. Këto bllokada, të nisura prej janarit, kanë goditur ndjeshëm tregtinë mes të dyja palëve, duke penguar dërgesat e qymyrit nga mullinjtë dhe fabrikat, që janë shtylla kurrizore e ekonomisë së lindjes, drejt territorit të administruar nga Kievi.

Udhëheqësit rebelë në Donetsk thanë më herët gjatë këtij muaji se kishin marrë nën kontroll menaxherial mbi 40 fabrika dhe miniera qymyri, në shenjë hakmarrjeje ndaj bllokadës. Këtu përfshihen edhe ato të zotëruara prej Rinat Akhmetov, i cili konsiderohet si njeriu më i pasur i Ukrainës.

Top Channel